Nis rehabilitimi i tregut te fruta - perimeve ne Njesine Nr. 5

2018-05-03 6

Banorët e Njësisë Nr. 5 pranë lulishtes ?1 Maji? do të kenë shumë shpejt një treg fruta-perimesh me kushte moderne, i cili garanton higjienë për produktet ushqimore. Bashkia e Tiranës nisi sot punën për rehabilitimin e tregut aktual, i cili për shkak të fluksit të madh të qytetarëve dhe të mungesës së investimeve ndër vite, ishte lënë në një gjendje të mjerueshme.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet që po kryhen për tregun e ri të fruta-perimeve që ndodhet në rrugën ?Komuna e Parisit?, ku siguroi qytetarët për marrjen e masave për rritjen e sigurisë ushqimore. Duke u ndalur tek investimi i tregut të ri, Veliaj deklaroi se përmes këtij projekti, do të katërfishohet edhe numri i atyre që tregtojnë.
?Jam shumë i kënaqur që ka filluar puna në një kantier tjetër në Njësinë 5. Praktikisht po katërfishojmë tregun, nga 12 vende, në mbi 50. Është një zonë, e cila ka familje të vjetra tiranase, ndërkohë është shtuar me popullsi nga pallatet e reja që janë ndërtuar në vitet ?90. Ky ka qenë një muaj ku jemi fokusuar jashtë mase tek siguria ushqimore. Hapëm thertoren e re në Vaqarr dhe po ofrojmë tregje të ngjashme me Pazarin e Ri, si ai që nisëm tek Njësia 2, në disa njësi të tjera dhe tani vazhdojmë tek Njësia 5?, tha Veliaj, ndërsa u bëri thirrje tregtarëve ambulantë që të zhvendosen në ambientet e reja, të cilat ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme.

?U kërkoj të gjithë ambulantëve që mbasi të ndërtohet tregu, të përdorin tezgat, të shërbejnë një metër mbi kanalet e ujërave për të siguruar higjienë ushqimore. Për sa kohë që bashkia nuk ka pasur tregje, kemi mirëkuptuar ambulantët e shtrirë kudo, qoftë edhe në oborre shkollash. Për sa kohë që tani shkollat po bëhen të reja, po bëhen edhe tregjet e reja, atëherë them shkollat duhet t?i mbajmë për të mësuar, tregjet për të konsumuar mall?, u shpreh ai.