Qytetarët shqiptarë do të paguajnë më shumë taksa për banesat që prej 1 janarit të vitit të ardhshëm. Taksa do të vendoset në bazë të vlerës së pronës duke u mbështetur në çmimet referencë që përcakton qeveria. Paketa e re fiskale sjell dhe një tjetër ndryshim të rëndësishëm, që lidhet me taksimin e pronës që prej 1 janarit 2018.
Sipas variantit paraprak të paketës, taksa e pronës nuk do të jetë më fikse mbi sipërfaqen siç është aktualisht, por do të bazohet mbi vlerën e pronës sipas çmimeve referencë që përcakton qeveria. Por pavarësisht ndryshimit të formulës, barra e taksës për shtëpitë e para pritet të mos rritet, por të mbetet në nivele të njëjta me taksën që paguhet aktualisht.
Por për shtëpitë e dyta dhe të treta taksa do të rritet. Sipas variantit që po diskutohet, familjet që kanë më shumë se një apartament do të detyrohen të deklarojnë shtëpinë e parë. Ajo do të taksohet me taksë të ulët, ndërsa apartamentet e dyta apo të treta dhe më tej do të kenë një taksë më të rënduar. Masa se sa do të jetë taksa për shtëpitë e tjera veç asaj të parës është ende duke u diskutuar, por e sigurtë është se ajo do të rritet.