Report TV - Basha paralajmëron Ramën dhe ministrat, zbulon "planin" e PD

2018-05-03 0

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si rob të bandave të krimit. Në përfundim të mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD, Basha tha se Rama ka vënë Partinë Socialiste dhe qeverinë në funksion të aleancës me krimin.

Duke deklaruar se qeveria bashkëqeveris me krimin, kreu i PD tha se opozita është në funksion të vlerave. Më tej, ai zbuloi planin e opozitës në seancat e ardhshme plenare, duke thënë se do t'i rikthehet praktikës së pyetjeve, për të vendosur para përgjegjësisë Ramën dhe ministrat e tij, duke marrë shkas nga seanca e fundit plenare, ku Basha u përplas ashpër me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

?Do të intensifikojmë aktivitetin tonë parlamentar, duke rikthyer një praktikë konform rregullores që është praktika e seancës së pyetjeve për të vendosur Edi Ramën dhe ministrat e tij para përgjegjësisë, diçka prej të cilës po mundohet të largohet çdo ditë, duke dalë një ditë si bahçevan, si kopshtar. Këtej rrit taksat, këtej më shumë bar për qytetarët. Është përgjegjësi për një Shqipëri të fundosur nga krimi. Në këto kushte ta harrojë se me opozitën dhe PD do të ketë diçka tjetër përveç përballjes totale. Ai e ka zgjedhur kompromisin, e ka me krimin e organizuar, me sejdinët jo vetëm në Elbasan, po anë e mbanë Shqipërisë. Edi Rama ka vënë PS dhe qeverinë në funksion të aleancës me krimin, ne jemi në funksion të aleancës së vlerave me qytetarët shqiptarë?, tha Basha.