Report TV - Skandali në Butrint/ Kumbaro thirret për raportim në komision

2018-05-03 1

Komisioni i Mediave ka thirrur ministren e Kulturës Mirela Kumbaron për të raportuar në lidhje me objektin që po ndërtohet në brendësi të Parkut Arkeologjik të Butrintit, me leje nga Ministria e Kulturës.

Mbledhja do të mbahet të mërkurën në orën 17:00 tek Komisioni i Mediave, ku Kumbaro do të pyetet në lidhje me ndërtimin që ka filluar prej gati dy javësh në brendësi të Butrintit, pranë një muri të lashtë.

Kumbaro e pyetur nga Report Tv në lidhje me këtë ndërtim, ka thënë se ndërtimi është me leje dhe se është konsultuar me UNESCON.

Sipas Report Tv, në brendësi të Parkut Arkeologjik të Butrintit në Sarandë kanë filluar punimet për ndërtimin e një objekti në brendësi të zonës së mbrojtur. Ndërtimi po bëhet pranë një muri prehistorik, i cili daton në shekullin e 7-8 para Krishtit. Shqiptarja.com ka mësuar se në brendësi të zonës së mbrojtur po ndërtohet një bar-kafe për qëllime biznesi.

Drejtoria e Monumenteve në një prononcim për REPORT TV pranoi se ka dhënë lejen dhe nuk shikon asgjë të çuditshme. Ndërsa në reagimin e saj Ministria e Kulturës thotë se është një strukturë e përkohshme, madje sipas parametrave të parashikuara nga konventat e UNESCO-s dhe vendimit të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.