Ish-presidenti i Republikës Bujar Nishani në një postim referuar ngjarjes së 18 shtatorit në Elbasan ku makina e zv/drejtorit të policisë u godit nga një mjet i blinduar, thotë se sulmi ndaj policisë po tentohet të fshihet dhe të prezantohet si betejë mes grupesh kriminale. Për ish-kreun e shtetit, është mafia që po investohet për të tjetërsuar ngjarjen që e panë të filmuar të gjithë shqiptarët.
?Në Elbasan natën e 18 shtatorit nuk pati luftë midis bandave. Jo. Për fat atë e panë të filmuar të gjithë shqiptarët. Atë natë banda e Elbasanit ju vërsul me mjet të blinduar policisë. Ajo nuk guxoi të reagojë. Kaq e thjeshtë ishte ajo që ndodhi por shumë e thellë dhe komplikuar arsyeja dhe pasoja e saj. Krimi i rëndë i Elbasanit në vend që të nxirret më shumë në dritën e diellit që ti jepet shans drejtësisë të bëhet po merr investim të madh që të fshihet dhe harrohet. Tentativa agresive e shumë operatorëve për ta transferuar ngjarjen nga sulmi mafioz ndaj shtetit në betejën mes grupeve kriminale është po ashtu investim i Mafias.?
Nishani thotë se Banda e Elbasanit nuk është e vetmja që ka arritur formën e lartë të organizimit kriminal, atë mafioz. Beteja kundër mafias sipas tij nis e mbaron tek pasuritë e paligjshme të saj. Kush do ta ofrojë këtë vullnet politik, kush do godasë pasuritë e vëna përmes krimit dhe që vihen në shërbim të krimit, do mund ta bëjë këtë betejë dhe do ta fitojë atë, shkruan Nishani./Tv Klan