TIRANE - Kryeministri Edi Rama prezantoi sot emrat e 33 zv/ministrave të rinj. Përpara anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS, kreu i qeverisë lexoi emrat e të gjithë zv/ministrave. Nga kjo listë bie në sy se gjashtë nga 11 ministri ministri do kenë nga katër zv/ministra. Kështu, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Ministria e Brendshme, ajo e Energjetikës, Ministria e Arsimit, Shëndetësisë dhe Arsimit do ketë nga katër zv/ministra për shkak të zgjerimit të strukturës së këtyre ministrive pasi janë bashkuar nga dy ministri me njëra-tjetrën.
Një prej emrave të njohur në radhët e zv/ministrave është edhe arkitekti Artan Shkreli i cili emërohet te Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës si zëvendës e Damian Gjiknurit. Shkreli ka qenë më parë këshilltar i kryeministri Edi Rama për territorin. Ndërkohë, nga zv/ministrat e vjetër, Rama ka mbajtur në detyrë vetëm Petro Koçin te Ministria e Mbrojtjes i cili do të jetë i vetëm si zëvendës i Olta Xhaçkës.
Dy zv/ministra nga Kosova
Risi e listës së Ramës për zv/ministra ishin dy emrat që vijnë nga Kosova. Valbona Shijaku emërohet zv/ministre e Kulturës, ndërsa Hajrulla Çeko nga Prizreni emërohet zv/ministër i Turizmit dhe Mjedisit. Emërimi i dy zv/ministrave nga Kosova është një nga risitë e Ramës në kabinetin qeveritar, ndryshe nga sa ishte paralajmëruar përpara zyrtarizimit të qeverisë për një dy ose dy figura nga përtej kufirit si ministra në kabinet.