Valixhe dyshimte prane ambasades amerikane

2018-05-03 0

Ekspertët xhenierë të RENEA-s kanë shpërthyer në mënyrë të kontrolluar një çantë të dyshimtë e cila është lënë nga një person i paidentifikuar, në murin rrethues të pjesës veriore të ambasadës amerikane.

Valixhja e dyshimtë u gjet nga një kalimtar i rastit i cili njoftoi sallën operative të Policisë së Tiranës. Menjëherë drejt adresës së njoftuar u nisën efektivë të policisë dhe specialistët xhenierë të RENEA-s. Pas veprimeve të para, u vendos që të provokohej shpërthimi i çantës, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.

Shpërthimi konfirmoi se nuk kishte rrezik, kjo pasi çanta ishte bosh. Por ky fakt i ka bërë dyshues efektivët e policisë. Për këtë qëllim, ekspertët kriminalistë kqyrën objektin për gjurmë të mundshme.

Hetuesit dyshojnë se çanta mund të jetë lënë si provokim për të testuar gatishmërinë e saj, apo të personelit të sigurisë së ambasadës amerikane. Veç kësaj piste policia dyshon se valixhja të jetë harruar ose braktisur nga ndonjë kalimtar. Për këtë shkak policia po kontrollon pamjet e kamerave të sigurisë së ambasadës, por edhe të bisneseve të zonës pranë.

Tv Klan