Balla: Akuza per deputetin e PS? Ligji i Dekriminalizimit eshte i qarte

2018-05-03 0

Kryetari i Grupit Kuvendor të PS, Taulant Balla nuk pranon të komentojë kërkesën e demokratëve drejtuar prokurorisë për të verifikuar formularin e Dekriminalizimit, për deputetin socialist Gjetan Gjetani dhe atë të PDIU Aqif Rakipi, pasi sipas tij, ligji do të zbatohet për cilindo nga të zgjedhurit.

Në seancën e të enjtes do të miratohet ngritja e komisionit bipartizan për Reformën Zgjedhore. Balla thotë se maxhoranca dhe opozita do të kenë numër të barabartë anëtarësh duke lënë të kuptohet se të dy partitë e opozitës do të përfaqësohen brenda numrit të dakortësuar, që do t'i lihet pakicës në komision.

Në Konferencën e Kryetarëve të zhvilluar gjatë paraditës së mërkurës, socialistët kanë propozuar dhe nismën për miratimin nga të gjithë deputetet të Kodit të Etikës, edhe pse të drejtat dhe detyrimet e të zgjedhurve përcaktohen në Kushtetutë dhe në rregulloren e Kuvendit. Por Balla thotë se kjo nismë do t'i shërbejë luftës kundër korrupsionit.

Tv Klan