Bode: Rizgjedhja e kryetarit te PD, kusht i panegociueshem

2018-05-03 0

Platforma e shpallur nga Lëvizja që synon ringritjen e Partisë Demokratike i është përcjellë zyrtarisht kryetarit demokrat Lulzim Basha. Sipas ish - Sekretarit të Përgjithshëm në Partinë Demokratike, Ridvan Bode, thelbi i dokumentit të firmosur nga ish - drejtues të lartë të kësaj partie, anëtarë të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar është ribashkimi i demokratëve përmes zgjedhjeve në të gjitha nivelet, ku një ndër pikat e panegociueshme është rihapja e garës për kreun e partisë.

"Ka një dhe vetëm një devizë, bashkimin e Partisë Demokratike, përmes një procesi zgjedhor. Vetë kryetarit i intereson një proces i tillë, si hapi i parë për të kërkuar dhe tentuar rifitimin e kredibilitetit, të djerrur poshtë në farsën e 22 Korrikut".

Ish - numri dy në Partinë Demokratike sqaron se platforma nuk synon aspak krijimin e fraksioneve.

"Nuk kërkojmë as fraksion dhe as përfaqësime të cilësuara. Kërkojmë që demokratët vetë, të jenë pjesë të barabartë si çdo anëtar i Partisë Demokratike, me të drejtën për të votuar dhe për t'u votuar. Pastaj do të jetë vota e demokratëve që do të kompozojë atë drejtim që meritojnë vetë ata".

E në rast të mos marrjes në konsideratë të kësaj platforme nga Lulzim Basha, Lëvizja për Ringritjen e Partisë Demokratike thotë se do t?i drejtohet anëtarësisë.

"Pas kësaj sigurisht që do të shkojmë për të takuar demokratët anembanë Shqipërisë, për t'i nxjerrë ata nga pasiviteti dhe për t'i bërë ata pjesë të një çështje të madhe të Partisë Demokratike, ajo e organizimit dhe konsolidimit të Partisë Demokratike. Pra do të jetë një platformë që do të debatohet në strukturat e Partisë Demokratike".

Veç analizës për humbjen e thellë në zgjedhje, Lëvizja për Ringritjen e Partisë Demokratike ka kërkuar bërjen e një transparence të plotë edhe mbi marrëveshjen e 18 Majit, mes Kryeminsitrit Rama dhe kreut demokrat, Lulzim Basha.

Tv Klan