Paketa fiskale 2018, ndryshon pragu per tatim-fitimin

2018-05-03 2

Ministria e Financave është duke përgatitur paketën e re të taksave për vitin 2018. Ekspertë të këtij institucioni janë duke punuar mbi dy drafte: ligjin e sistemit të taksave vendore dhe atë të akcizave.

Burime për televizionin Klan thonë se qeveria është duke rimodeluar pragun e tatimit mbi fitimin për biznesin, përshkallëzimi i cili deri më sot eshte konsideruar si burim i evazionit fiskal.

Të njëjtën porosi për këtë taksë ka lënë edhe misioni i Fondit Monetar Ndëkombëtar në fund të vizitës së tij.

FMN sugjeron një model tatimi më të thjeshtë. Sot biznesi që ka xhiro 0 deri në 5 milion është i përjashtuar nga pagesa e tatim fitimit, ndërsa për ndërmarrjet që kryejnë deri në 8 milion lekë xhiro paguajnë 5% taksë. Tashmë ky prag do të ulet. Burime prane Ministrise se Financave sqarojne për Tv Klan se është duke u diskutuar varianti që taksa 0 të jetë vetëm për biznese me qarkullim vjetor deri në 2 milion lekë.

Në paketën e re fiskale parashikohet rritja e akcizës për duhanin, me 5 lekë për paketë.

Në 2017-ën kjo rritje u ndal dhe qeveria njoftoi se do ta shtynte per vitet e tjera.

Në ligjin për taksat vendore është duke u punuar edhe për të finalizuar formulen e tatimit të pronës në bazë të vlerës reale të saj.

Mësohet se ky model i ri do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm në Tiranë, e më pas do të shtrihet në qytetet e tjera. Rikonceptimi i kësaj taske, ka qënë po ashtu një kërkesë e FMN-së, e cila ka 3 vite që po punon për këtë model me qeverinë.

Për herë të parë ekzekutivi në vitin 2018-të është duke planifikuar një buxhet ambicioz, ku të ardhurat do të synojnë të rriten me 28 % ose 1% më shumë në raport me prodhimin kombëtar, ndërsa investimet publike parashikohet te jene më të lartat e hedhura ndonjëherë në ekonomi nga qeveritë e majta. Financat janë duke punuar mbi shifrën 850 milionë dollarë, vlerë 250 milionë më e lartë se ajo kur socialistët nisën punën me buxhetin e 2014-ës.

Tv Klan