Mijëra dosje qëndrojnë të pashqyrtuara që nga viti 2015 në Gjykatën e Lartë si pasojë e mungesës së gjyqtarëve. Kreu i Shoqatës së Avokatëve, Saimir Vishaj jep alarmin se kjo situatë çon në lirimin e personave të rrezikshëm dhe në dhënien me vonesë të drejtësisë.
Sajmir Vishaj: ?Mungesa e Këshillit të Lartë të Prokurorisë apo Këshillit të Lartë Gjyqësor bën që ai të vazhdojë të endet dhe të humbasë afatet e paraburgimit pasi një çështje kur shkon në gjykim ka afate të caktuar në bazë të masave të dënimit nga 6 muaj 9 muaj deri një vit brenda këtij afati kjo çështje duhet të gjykohet, nëse nuk gjykohet ai fiton lirinë?.
Për avokatin Vishaj, Reforma në drejtësi duhet të niste së pari nga burimet njerëzore që të mos krijohej ky ngërç.
?Sajmir Vishaj: ?Nuk mund të rimbushen vendet vakante pasi me ndryshimet e ligjit dhe me reformën në drejtësi të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë do kalojnë sipas vendeve nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Mungesa e ngritjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor bën që ende të kemi këtë vakum dhe kaos në Gjykatën e Lartë edhe në gjykatat e tjera ku kemi një numër të munguar gjykatësish?.
Por cfarë duhet bërë në këto kushte dhe a ka një zgjidhje?
Sajmir Vishaj: ?Duhet urgjentisht Ministria e Drejtësisë, komisioni i ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë të shikojë rritjen e kapaciteteve të gjyqtarëve para se të nisë reforma. Mungesa e gjyqtarëve do të sjellë amulli dhe kjo ka nisur?.
Mungesa e gjyqtarëve është problem edhe në shkallët e tjera të gjyqësorit, gjë që ka vënë në vështirësi funksionimin e drejtësisë.
Sipas Vishaj drejtësia duhet të jepet në kohën e duhur pasi çon në kufizim të lirive të njeriut.
Sajmir Vishaj: ?Drejtesia duhet të jepet në kohën e duhur, sidomos ajo penale ka më vlerë. E njëjta situatë kaotike po ndodh në Gjykatën e Lartë, ku ka me mijëra dosje të pashqyrtuara, ndërkohë kemi të bëjmë edhe me 150 dosje të masave të sigurimit që kanë të bëjnë me kufizimin e lirive të njeriut. Nëse mungojnë kapacitetet, nuk arrihet dhënia e drejtësisë pasi vet trupa gjykuese nuk formohet dhe kemi gjykata që jane me 2 gjyqtarë që nuk mund të gjykojnë qindra çështje që janë për gjykim?.
Kreu i Shoqatës së Avokatëve, Saimir Vishaj jep edhe shembuj.
Sajmir Vishaj: ?Kavajë, Përmet kemi 2 gjyqtarë. Një bën masën e sigurimit, një hetimet paraprake, kush e gjykon çështjen në themel??