Gjatë sesionit përmbyllës të Parlamentit të Parë Rural në Kuvend nuk kanë munguar dhe momentet prekëse.
Ka qenë e reja nga Mirdita, Rigerta Loku, e cila ka shpërthyer në lot, gjatë fjalës së saj para të pranishmëve.
Ajo ka mbajtur një fjalim emocionues, teksa ka bërë thirrje që t?i kushtohet më shumë vëmendje fshatit, pasi sipas saj, pa fshatin nuk mund të ketë jetë as në qytet.
?Fshati ka nevojë të rilindet. Informacioni është bazë e zhvillimit. Le të vishemi bukur sa të duam, por pa fshat nuk ka qytet të zhvilluar. Po nuk na zhvilluat ne, ju nuk keni si të zhvilloheni. Nga Mirdita ime zhvillohet Tirana juaj dhe jo e kundërta.
Se çfarë do të bëhet, do ta shohim në vijim, unë jam aty dhe pres. Ne në fshat punojmë me dorën e djathtë, zemra na rreh në të majtë, kurse trurin e kemi në qendër.
Ta mbështesim fermerin e ri që me shumë vështirësi çon përpara fermën, ta mbështesim fshatarin, që ndoshta nuk ka dashur ta braktisë fshatin. Ejani ta shikoni fshatin, nuk ka vend ku hahet më mirë. Në doni bukë e zemër të bardhë, ejani në fshat. Jepini ujë dhe rrugë fshatit dhe i keni dhënë zhvillim, nuk kërkojmë asgjë tjetër?, tha ndër të tjera ajo.
Gjatë fjalës së saj, vajza mirditore, e cila kishte studiuar në Itali për Shkenca Politike dhe ishte kthyer në vendin e saj për t'u marrë me blegtori dhe bujqësi, është ndërprerë disa herë nga të pranishmit, të cilët e kanë duartrokitur pareshtur.