Mashtrimi nëpërmjet "facebook"-ut me fotografinë e aktores venezueliane i vajzës nga Manza, e cila i zhvati një shumë të konsiderueshme të hollash drejtorit të postës Barush Ahmeti, ka marrë një tjetër rrjedhë.
Gjatë seances së masës së sigurisë, Enertila Beqja ka mohuar të ketë pasur lidhje me Barushin. Ajo ka kërkuar pafajësi, ndërsa ka qenë kontradiktore në deklaratat e saj para trupit gjyqësor.
Pasi ka dëgjuar palët, trupi gjykues i kryesuar nga Rexhep Bekteshi vendosi si masë sigurie arrest në burg për 27-vjeçaren, ndërsa ka kërkuar nga organi i akuzës hetim të thellë.
Prindërit e vajzës, Myrteza dhe Emine Beqja deklaruan se vajza e tyre është e pafajshme dhe kërkojnë ballafaqim me Barushin, i cili i akuzon se vajza e ka zhvatur përgjatë dy viteve lidhje.
27-vjeçarja u arrestua tre ditë më parë me akuzën e mashtrimit. Enertila Beqja akuzohet se nëpërmjet rrjeteve sociale ka krijuar një lidhje dashurore virtuale me drejtorin e postës në Manzë Barush Ahmeti dhe i ka zhvatur nëpërmjet mashtrimit rreth 60 milionë lekë të vjetër në mall.
Tv Klan