Të tjerë elementë të dyshimtë dalin në dritë nga hetimi i Shqiptarja.com mbi kompaninë Soft & Solution. Kompania në fjalë, krejt e panjohur për publikun e gjerë deri në shpërthimin e skandalit të byzylykëve të mbikëqyrjes në fushën penale në muajin gusht, pas një hetimi të Shqiptarja.com, rezultoi e lidhur ngushtë me Ermal Beqirin, drejtor IT i ZRRP-së (tashmë i shkarkuar).
Hetimet e mëtejshme zbuluan se si vete Soft & Solution, kishte fituar në vitin 2015 plot 4 tendera të prokuruara nga zyra e drejtuar nga Beqiri, ndërkohe, partneri i saj në tenderin e byzylykëve si edhe ne 16 tendera të tjerë, kishte fituar ne vitin 2016 një kontratë me vlerë 293 milionë lekë të reja po nga zyra e Beqirit.
Në të gjithë këta tendera të prokuruar nga Ermal Beqiri dhe të fituar nga Soft & Solution ose partnerët e saj në biznes, bie në sy që oferta fituese është përherë midis 0 dhe 2 përqind të fondit limit, pra pothuajse inekzistente.
Por ky, duket se nuk është i vetmi dëm ekonomik shkaktuar shtetit shqiptar. Pas një analize të pasqyrave financiare të vitit 2016 (bilancit) të dorëzuar nga kompania Soft & Solution në Qendrën Kombëtare të Bizneseve, dalin në pah të dhëna shumë të dyshimta. Kështu, kompania ka deklaruar për vitin 2016, të ardhura me vlerë 451,214,887 lekë të reja. Nga këto, siç shihet nga të dhënat e Open Data Albania, 106,047,485 lekë janë direkt të arkëtuara nga Thesari i Shtetit. Pjesa tjeter, vjen nga aktiviteti me sektorin privat, ose nga kontratat shtetërore në të cilat kompania ka qënë nënkontraktore ose pjesë e një bashkimi operatorësh, por jo përfaqësuese e tij. Deri këtu asnjë e re nga çfarë është zbuluar në javët e shkuara. Detaji i parë i dyshimtë që vihet re në bilanc, është shifra e shpenzimeve për lëndë të parë dhe materiale të konsumueshme. Kompania ka deklaruar plot 365,451,804 lekë shpenzime për lëndë të parë dhe materiale të konsumueshme, pra 80,9% të xhiros.