Qytetarët që kanë ankesa për mbifaturime të dritave, apo për matësat e energjisë që mund të jenë me probleme, tashmë do të marrin një zgjidhje brenda 5 ditëve. Një rregullore e re e miratuar nga Bordi i Energjisë Elektrike përcakton se nga dita e sotme do të nisë verifikimi në terren për të gjithë matësat e energjisë elektrike, për të cilat qytetarët kanë ankesa. Në rast se do verifikohet ndërhyrje në matësa nga qytetarët, atëherë do mbajnë përgjegjësi vet klientët, ndërsa kur matësi i energjisë ka probleme, ose ka mbifaturim, atëherë do të bëhet rimburisimi i qytetarëve nga OSHEE.
Rregullorja e re
Nëse klienti dyshon në saktësinë e matësit elektrik në përdorim të tij, ai paraqet një kërkesë, pranë zyrave të operatorit të rrjetit, si dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës, për verifikimin e aparatit matës të energjisë elektrike. Në rastet kur klienti paraqet një kërkesë për verifikim të saktësisë të aparatit matës të energjisë elektrike pranë institucioneve të tjera përgjegjëse, ato do të regjistrojnë kërkesën e tij dhe do t?ia përcjellin operatorit të rrjetit në zbatim të afateve kohore për trajtimin e kërkesave. Në të gjitha rastet, institucioni përgjegjës, të cilit i është drejtuar kërkesa e klientit për verifikim të saktësisë të aparatit matës të energjisë elektrike, do të vërë në dijeni dhe klientin për përcjelljen e kërkesës së tij pranë operatorit të rrjetit.