Më 1 tetor qeveria shqiptare ka lajmëruar një aksion masiv kundër informalitetit në ekonomi, teksa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë gati një analizë për riskun në pagesën e detyrimeve tatimore në sektorët VIP të biznesit.
Sipas analizës së Tatimeve në bizneset e mëdha, botuar në raportin vjetor 2016, sektori i tregtisë me shumicë është evidentuar si evazori më i madh. Në këtë linjë biznesi risku në mospagesën e TVSH-së vlerësohet 54.07%, ndërsa risku në mospagimin e tatimit mbi fitimin 44%. Detyrimet që kishin të bënin me tatimet e pagave dhe të tjerat kanë përqindje më të ulët rreziku për mospagesë.
Ndërtimi është sektori i dytë që krijon më së shumti evazion fiskal në sektorin VIP. Sipas analizës bizneset VIP të ndërtimit janë riskoze me 62.08% të detyrimeve të TVSH-së dhe 35 për qind në pagesën e tatimit mbi fitimin. Risku është më i ulët në tatimet e tjera.
Tregtia e karburantit është evidentuar si sektori i tretë me evazionin më të lartë në bizneset VIP. Bizneset në këtë fushë paraqesin 53 për qind rrezik për mospagesën e TVSH dhe 44.28% risk në mospagesën e tatimit mbi fitimin.