OSBE/ODIHR publikon raportin final për zgjedhjet e 25 Qershorit, për të cilat vlerëson se u zhvilluan në përputhje me udhëzimet e OSBE-së, detyrimet e tjera ndërkombëtare dhe standardet demokratike.
Arbitri europian i zgjedhjeve e vë theksin te marrëveshja e 18 Majit, e arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha.
Procesi u zhvillua në vijim të paktit politik me kreut të Partisë Socialiste dhe atij të Partisë Demokratike, ç'ka siguroi pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje.
Nga ana tjetër OSBE vlerëson se nuk u shmang politizimi i institucioneve që lidhen me zgjedhjet, ç'ka uli besimin e elektoratit.
Politizimi i vazhdueshëm i institucioneve e lidhura me zgjedhjet, si edhe akuzat e shumta për blerje të votës dhe trysnia mbi votuesit, tkurrën besimin publik te procesi zgjedhor.
Dita e zgjedhjeve ka qenë e rregullt, vijon raporti, që nga ana tjetër nënvizon moszbatimin e plotë të disa procedurave në disa qendra votimi, ku vihet theksi te vonesa e fillimit të procesit zgjedhor. Po ashtu, disa nga parregullsitë e vërejtura në raport janë votimi në grup dhe ndërhyrjet nga aktivistë partiakë në disa qendra.
Një vend të rëndësishëm në vlerësimin e OSBE/ODHIR zënë edhe amendamentet e dakortësuara në marrëveshjen e 18 majit mes dy partive të mëdha, mes të cilave ajo e financimit të fushatës dhe reklamave politike në media.
Sa i përket kësaj të fundit OSBE vlerëson se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk mori masat për të qartësuar mospërputhjet që lidhen me fushatën e reklamave në media. Reagimi i parë për raportin u bë nga kryeministri Rama në Parlament sipas të cilit ai rrëzon të gjitha pretendimet e deritanishme të opozitës se zgjedhjet u blenë nga krimi.