Report TV - Ndërpritet puna në Sarandë ARRSH: Bashkia nuk ka marrë leje

2018-05-03 1

Nisja e punimeve në hyrje të Sarandës kishte filluar vrullshëm, madje për këtë u bë shumë bujë me prezencë të deputeteve të zonës dhe shumë makineri të cilat ishin për të stolisur fillimin e punimeve.

U dhanë premtime të mëdha se punimet do të përfundojnë brenda afateve të përcaktuara. Por pa kaluar 10 ditë punimet janë ndërprerë. Shkak për këtë është bërë mosmarrja e lejes së ndërtimit nga ana e autoritetit rrugor.

Një problem tjetër është edhe shpronësimi i banorëve të zonës të cilëve u merret pjesë nga tokat e tyre. Në lidhje me këtë problem Repor Tv është interesuar pranë bashkisë së Sarandës për të marrë një informacion më të detajuar.

Është nënkryetari i bashkisë ai që ka dhënë përgjigje se punimet nuk kanë filluar sipas rregullave të përcaktuara me ligj dhe për këtë edhe janë ndërprerë.

Nënkryetari i bashkisë së Sarandës Kristaq Kiço, i intervistuar nga Report TV ka komentuar situatën duke treguar se shumë shpejt do të nis një procedurë shpronësimesh për banorët e zonës ku kalon segmenti rrugor.