Report TV - CEZ-DIA/Prokuroria: 15 vite burg Ismailajt, i konfiskohen 4.5 mln €

2018-05-03 0

TIRANE - Prokuroria e kryeqytetit kërkon 15 vite burg për ish-administratorin e kompanisë DIA, Kastriot Ismailajn, ndërsa i janë konfiskuar rreth 4.5 milionë euro të cilat kalojnë në favor të shtetit.

Shumat e konfiskuara, të gjetura në disa llogari bankare, janë 3,215,176 dollarë, 938.868 dollarë, 452 160 euro, 1028 euro si dhe 12 360 000 lekë.

Ai akuzohet për tre vepra penale, mashtrim me pasoja të rënda me borxhet e CEZ, rreth 5 milionë euro, pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh.

Ismailaj nuk ka qenë i pranishëm në seancën gjyqësore kur është dhënë pretenca nga organi i akuzës, ndërsa përfaqësohej nga avokati.

DIA kishte nënshkruar dy kontrata me kompaninë çeke CEZ për identifikimin dhe mbledhjen e borxheve nga debitoret ndërsa pas përplasjeve përfundoi në gjyq, pasi prokuroria e akuzoi për mashtrim.

Pas pretencës pritet vendimi i gjykatës për dënimin e ish-administratorit te kompanisë DIA, Kastriot Ismailajn.