PD-PS tryeze politike per Reformen Zgjedhore

2018-05-03 0

Edi Rama dhe Lulzim Basha mund të ulen sërish, kësaj radhe në një tryezë të nivelit të lartë politik për reformën zgjedhore. Propozimi u bë në konferencën e kryetarëve nga kreu i grupit të socialistëve Taulant Balla.

?Kjo tryezë politike duhet të përmbajë partitë më të rëndësishme të vendit të përfaqësuara në Kuvend, PS, PD dhe sigurisht që përfaqësimi i tyre të jetë në nivelin më të lartë, kryetari i partisë, kryetari i grupit parlamentar dhe një përfaqësues tjetër i lartë i secilës parti me qëllim që në këtë tryezë të fillojmë të identifikojmë gjërat që na bashkojnë.?

Por kreu i grupit të demokratëve, Edmond Spaho, pas mbledhjes së konferencës nuk u ndal në propozimin e bërë nga Balla që adresohej ndaj Lulzim Bashës, ndonëse u shfaq optimist për ngritjen e komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore.

?Po punohet nga palët për të finalizuar objektin, përbërjen dhe kohën. Nëse do arrijmë ti mbyllim deri nesër do të kalojë në seancë, në të kundërt në seancën më të parë, që i bie javën e ardhshme.?

Pavarësisht ftesës së bërë ndaj demokratëve, Taulant Balla ripërsëriti qëndrimin e kryeministrit Rama për një reformë zgjedhore pa kushte.

?PS nuk mund të jetë shtojcë funksionale e axhendës së PD. Shpresoj që Spaho t?ia ritransmetojë këtë mesazh pozitiv edhe zotit Basha me qëllim që këto çështje të rëndësishme që sot na bashkojnë, por edhe ato që nuk na bashkojnë, por duhet të na bashkojnë, t?i adresojmë në këtë nivel.?

E ndërsa për reformën zgjedhore PS-ja e PD-ja duken në rrugë të mbarë, palët në konferencën e kryetarëve nuk kanë gjetur dakordësinë për shtimin e strukturës së tre organeve të reja të Vettingut, ku demokratët kanë depozituar edhe amendamentet e tyre. Shumica në konferencë nuk ka pranuar edhe një kërkesë të bërë në legjislaturën e kaluar nga demokratët për mbajtjen e një referendumi për importin e mbetjeve./Tv Klan