Report TV - FMN zbarkon sërish në Tiranë, drejt një marrëveshjeje të re?

2018-05-02 0

Qeveria Rama 2 duket se po përgatitet të shohë një rinovim të marrëveshjes, tashmë të ndërprerë, me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në Tiranë kanë mbërritur tashmë dy ekipe të FMN, të cilat duket se do të diskutojnë jo vetëm lidhur me performancën aktuale të ekonomisë shqiptare, si dhe për rezultatet e kushteve që kishte vënë fillimisht ky institucion financiar ndërkombëtar për dhënien e një kredie të butë në masën totale prej mbi 330 milionë eurosh në tre vjet.

Qeveria Rama 1 ka zbatuar gati të gjitha kushtet e vëna në paketën e parë të tyre, ndërkohë që një paketë e dytë, që pasqyronte masa më drastike në fushën fiskale, të tilla si taksimi i banesave, tokave bujqësore, trojeve, etj, u la për më vonë.

Përtëritja e një marrëveshjeje mes FMN dhe shtetit shqiptar është përmendur që para zgjedhjeve parlamentare në një fjalim të ministrit të Financave Arben Ahmetaj. Por, qeveria e re duket se është treguar e kujdesshme që të kalojë fillimisht në Kuvend programin e saj të ri, para se të vijnë përfaqësuesit e Fondit në Shqipëri.