Në sajë të Konferencës së Komitetit Ushtarak të NATO-s që do të zhvillohet në Shqipëri, presidenti Meta ka takuar kreun e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Gjeneral Petr Pavel, ku shprehu besimin se kjo konferencë do të zhvillohet me sukses.
Sipas një komunikate për shtyp nga Presidenca, Meta i ka uruar mirëseardhjen dhe ka shprehur mirënjohjen Gjeneralit Pavel për kontributin e tij në organizimin e Konferencës së Komitetit Ushtarak në Shqipëri duke e cilësuar atë si një ngjarje historike për Shqipërinë dhe një aktivitet shumë i rëndësishëm për Aleancën.
Meta ka vlerësuar angazhimet e NATO-s në kuadër të sigurisë globale, rolin e saj të pazvendësueshëm për paqen, stabilitetin, zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetin në Ballkan. Presidenti Meta e siguroi Gjeneral Pavel për angazhimin e tij në përmbushjen e detyrimeve të vendit tonë ndaj NATO-s, në procesin e modernizimit të Forcave të Armatosura dhe përmirësimin e buxhetit për mbrojtjen, shkruhet në komunikatë.