Ish-kryeministri Sali Berisha është përplasur sot për herë të parë me kryetarin e ri të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Ish-kryeministri Berisha nuk ka pranuar të largohet nga foltorja e Kuvendit, pasi ka mbaruar minutazhin e tij. Ka qenë kryetari Ruçi, që ka ndërhyrë, duke i kërkuar Berishës të ulët.
Kjo ka qenë dhe prova e parë e forcës mes Ruçit dhe Berishës, në fund të së cilës ka qenë ish-kryeministri Berisha që ka lënë foltoren e Kuvendit. Ruçi i ka kërkuar Berishës të ulët, duke i thënë se do të aplikojë masat që parashikon rregullorja. Pas një rezistence të shkurtër, ish-kryeministri Berisha është larguar nga foltorja, duke lënë njëkohësisht dhe sallën e Kuvendit.
Ndërkohë, nga salla kanë ndërhyrë dy deputetët e Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe Edi Paloka, të cilët kanë kërkuar që Berisha të marrë nga koha e tyre, por dhe kjo përpjekje ka rezultuar e dështuar, pasi fjalën e ka marrë ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj.