Duhet të ishte një fjalim eskluziv për prezantimin e programit politik të kabinetit Rama 2, por kryeministri në fjalën e tij përpara parlamentit e ka përqendruar të gjithë vëmendjen tek bashkëpunimi me opozitën, qoftë atë tradicionale ashtu dhe atë sezonale siç zgjodhi ta quajë Levizjes Socialiste për Integrim.
Kryeministri u kujdes që dy partive të opozitës t'ju drejtohej me fjalën konkurrent dhe jo kundërshtar, pasi tha sesi të tillë i sheh dhe do t'i trajtojë në 4 vitet e këtij mandati.
Rama pranoi se jo pak përgjegjësi për klimën e krijuar në 4 vitet e shkuara në parlament kishte dhe mazhoranca e tij, por premton një erë të re dhe këtë thotë se e bën për të ardhmen e fëmijëve të Shqipërisë, por dhe të ardhmen europiane të vendin. Ndaj ai i kërkon pakicës që përpara se të shkojnë dhe të ankohen në kancelarit e huaja për çështje kombëtare të diskutojnë me njëri - tjetrin në shqip.
Rama i njohu opozitës meritën që duke ngritur me forcë shqetësimin për kriminalizimin e parlamentin dhe kanabizimin e vendit rriti vëmendjen e parlamentit dhe qeverisë për t'i luftuar këto 2 fenomene.
Kryeministri i kërkon opozitës që të bëhen bashkë edhe për të mbrojtur vlerën më të madhe që ka ky vend, harmoninë fetare, që po rrezikohet nga segmente të caktuara dhe këtu solli rastin e debatit të fundit për heroin tonë kombëtar.
Për të gjitha këto arsye Rama propozon një tryezë për të diskutuar të gjitha çështjet me rëndësi kombëtare.
Në programin qeverisës, kryeministri thotë se do përqendrohet vemendja tek çuarja e marrëdhënieve 2 palëshe rajonale në një stad më të lartë, duke veçuar bashkëpunimin me qeverinë e re të Kosovës, por dhe një fqinjësi më të mirë me Greqinë.
Fjalimin Rama e mbylli atje tek e nisi dora e shtrirë e bashkëpunimit me opozitën.
Tv Klan