Një tjetër sasi e madhe droge është kapur nga autoritetet në Vlorë. Bëhet fjalë për 1030 kilogramë kanabis të sekuestruara nga një operacion i përbashkët mes Policisë së Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Delta Forcë, Policinë Kufitare dhe GdF.
Përveç drogës autoritetet gjetën gjithashtu 6 armë zjarri, ndërsa në kërkim janë shpallur persona.
Në një njoftim zyrtar, policia sqaron se rreth orës 01.00 të së dielës në Plazh të Vjetër, në lagjen '' 1 Maji'' rreth 30 m larg nga Porti i Vlorës, në një banesë private të pabanuar janë gjetur dhe sekuestruar 49 pako të mëdha të mbështjella me natriban ku brenda tyre kishte kanabis, me peshë totale 1030 kilogramë.
Gjithashtu gjatë kontrollit në këtë banesë u gjetën dhe u sekuestruan edhe 6 armë zjarri, nga këto 3 armë Kallashnikov dhe 3 armë pistoleta, si dhe municion luftarak.
Në afërsi të banesës në det, ndodheshin tre persona me një gomone, të cilët ishin përgatitur për të transportuar lëndën narkotike drejt Italisë.
Në momentin që ka ndërhyrë Policia të tre personat G.S., A.I., J.S., janë larguar me shpejtësi të madhe me gomone në hapësirën detare.
Në ndjekie të tyre janë vënë Policia Kufitare, Delta Forcë e GdF, ku ende vijon kontrolli në det për kapjen e tyre.
G.S., A.I., J.S janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe janë shpallur në kërkim nga ana e Policisë.
Autoritetet thonë se vijon operacioni për gjetjen dhe kapjen e tre trafikantëve, si dhe vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj vepre penale./tvklan.al