Gjashtë muaj pas rënies së zjarrit në një nga katet e nëndheshme të Bibliotekës Kombëtare, institucioni nuk jep një përgjigje për dëmin material të shkaktuar.
Televizioni Klan u interesua për të mësuar se sa është numri i librave, gazetave apo revistave të djegura, titujt dhe cilës periudhë i përkasin, por nuk mori asnjë përgjigje. Informacioni i fundit nga Biblioteka Kombëtare për dëmet e shkaktuara nga zjarri është ai i fundit të Marsit, ku thuhej se janë djegur tre rafte me libra, krijimtari në shqip e gjuhë të huaj pas viteve 2000, por jo i konfirmuar zyrtarisht.
Nga hetimet e kryera nga policia mësohet se ende nuk ka një inventar të plotë të botimeve të djegura. Burime nga policia thonë se Prokuroria e Tiranës nuk i ka deleguar policisë detyra për të kryer veprime që lidhen me inventarin.
Në paraditen e 15 Marsit, për herë të parë në historinë e Bibliotekës Kombëtare, në një nga sektorët e katit të tretë të nëndheshëm u përpi nga zjarri. Nga këqyrja paraprake e ekspertëve u tha se shkak mund të jetë bërë një shkëndijë elektrike, por nuk përjashtohet mundësia e një gabimi njerëzor që çoi në flakë shtëpinë më të madhe të ruajtjes së librit. Edhe sot pas gjashtë muajsh ndeshesh me të njëjtin njoftim, Biblioteka Kombëtare nuk ofron asnjë shërbim nga katet e nëndheshme, duke bërë që frekuentimi në 3 mujorin e dytë të 2017 të kapte shifrën më të ulët në vitet e fundit, nga mbi 50 mijë një vit më parë shkoi në 26 mijë frekuentues.