http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Një ditë pas arrestimit të tre grabitësve të filialit të nje banke në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, Prokuroria bëri me dije se Robert Kullën, Alan Babamaton e Roland Litin i tradhtuan gjurmët e gishtërinjve. Policia e Tiranës në bashkëpunim me prokurorinë mundëm që nëpërmjet gjurmëve të Roland Litit të zbardhin përfshirjen e tre të rinjve në këtë krim. Pas arritjes së identifikimit të njërit prej të dyshuarve policia nëpërmjet përgjimeve ambientale mësoi dhe lëvizjet e të tjerëve. Kështu, pak orë pas vjedhjes së bankës dy prej pjesëtarëve të këtij grupi udhëtuan drejt malit të zi dhe u kthyen 4 ditë më pas. Pas informacioneve të siguruara nga Mali Zi, Prokuroria mësoi se gjatë qëndrimit atje të rinjtë kishin shpenzuar shuma të mëdha parash. Gjatë operacionit të koduar depërtimi njërit prej të dyshuarve iu sekuestruan dhe rreth 40 mijë euro. Tre të arrestuarit, nuk janë emra të panjohur për policinë e Tiranës pasi dhe më parë ata kanë qenë të përfshirë në krime, Liti për vjedhje dhe Kulla për rrëmbim e pengmarrje. Tre javë më parë, nëpërmjet bodrumit, të arrestuarit arritën të hapnin kasafortën e bankës dhe në 3 minuta të merrnin mbi 200 mijë euro. Veç arrestimit të tyre, Prokuroria ka marrë në pyetje dhe një pjesë të stafit të Bankës, pas dyshimeve se ka një bashkëpunëtor, i cili ka siguruar informacion mbi planimetrinë e godinës dhe vendndodhjen e kasafortës.