Vrasja e Almirit, Megjashi Dhuna nuk ka gjuhë dhe nacionalitet
Vrasja e Almirit, Megjashi: Dhuna nuk ka gjuhë
on: 08/07/2016In: Aktuale, Maqedoni
Dhuna nuk zgjedh ngjyrë të lëkurës, as nacionalitet dhe as moshë, secili fëmi mundet të jetë viktimë e dhunës, dhe çdo kryerës i dhunës duhet të sanksionohet. Kështu kanë reaguar nga Ambasada e parë për fëmijë në botë “Megjashi”, në lidhje me vrasjen e 4 vjeçarit, Almir Aliu. Drejtori i kësaj Ambasade, Dragi Zmijanac, tha se nuk duhet të lejohet që numri i viktimave të reduktohet vetëm në numrin statistikor. “Kemi theksuar se duhet të sanksionohet çdo kryerës i dhunës dhe në reagimin tonë është theksuar se dhuna nuk zgjedh ngjyrë të lëkurës, nuk zgjedh nacionalitet, as moshë dhe se secili që është sjell keq përpara ligjit duhet që të mbajë përgjegjësi.”, ka deklaruar për Tv Shenja, Dragi Zmijanac nga Megjashi.
Ai tha se këto ngjarje të rënda dhe të dhimbshme duhet të shërbejnë si kujtesë për pasojat e urrejtjes, jotolerancës dhe dhunës.
“Të ndërtojmë kulturë të paqes, të dashurisë, të mirëkuptimit, që të ketë sa më pak urrejtje, nacionalizëm dhe shovinizëm sepse vetëm ajo mund ta ngrit secilën shoqëri qytetare, një shoqëri multikulturore siç është Republika e Maqedonisë“, ka shtuar ai.
Javën e kaluar si pasojë e një goditjeje të qëllimshme me veturë, ndërroi jetë 4 vjeçari Almir Aliu nga Kumanova. Ngjarja ka ndodhur disa metra larg shtëpisë së shëndetit në Kumanovë, ku maqedonasi Boban Iliç me veturën e tij ka goditur qëllimisht Almir Aliun bashkë me prindërit e tij. Ngjarjes i ka paraprirë një grindje verbale në shtëpinë e shëndetit mes babait të Almirit dhe Bojan Iliçit./SHENJA/