Këshilli i Europës e sheh të pazbatueshëm dhe të padrejtë ligjin për partitë politike që i detyron televizionet të transmetojnë reklama politike falas. Delegacioni i Asamblesë Parlamentare, në raportin për zgjedhjet e 25 Qershorit, nënvizon se ky ligj ka mospërputhje me Kodin Zgjedhor, i cili prevalon mbi çdo ligj të thjeshtë përsa u përket zgjedhjeve, gjatë fushatës elektorale dhe kohës së votimeve.
"Më 25 Maj, 10 kanale televizive i shkruajtën zyrtarisht KQZ-së duke hedhur poshtë ndryshimet në Ligjin për Partitë Politike dhe ato amendamente që detyrojnë mediat të transmetojnë spotet e përgatitura. Ata theksuan mospërputhjet midis amendamenteve dhe Kodit Zgjedhor, duke pretenduar se ky i fundit, si një ligj institucional, i miratuar me shumicë të theksuar, merr përparësi mbi ndryshimet e ligjit për Partitë Politike. KQZ nuk mori masa për të qartësuar kuadrin ligjor dhe disa kanale televizive private transmetuan reklama të paguara për pesë parti politike".
Konstatimet e Këshillit të Europës flasin qartë për faktin se vendimi politik për t?i detyruar televizionet t?u japin partive reklama falas, jo vetëm nuk dha ndonjë rezultat, por si i padrejtë, krijoi një situatë problematike. Ndryshimet ligjore vunë në vështirësi edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili, i gjendur para amendamenteve të miratuara pa asnjë konsultim, nuk arriti të marrë ndonjë vendim për t?i dhënë zgjidhje situatës.
Faktin që ndryshimet ishin në kundështim me Kodin Zgjedhor dhe u kryen pa asnjë konsultim paraprak, u theksua edhe në raportin e OSBE ? ODIHR. Në të thuhej se këto ndryshime të pakonsultuara dhe të nxituara sfiduan Kodin dhe rezultuan në sfida ligjore edhe për autoritetet dhe vetë pjesëmarrësit në garë. Nëse problemet e nxjerra në dy raportet nuk do të adresohen për t?i abroguar amendamentet, në zgjedhjet e ardhshme ky ligj do të krijojë sërish probleme për televizionet dhe instucionet.
Tv Klan