Institucionet publike kanë nisur punën për të kontrolluar në terren paratë e pajustifikuara, teksa kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga të gjitha organet e zbatimit te ligjit një betejë të ashpër kundër aseteve kriminale.
Të gjitha entet shtetërore janë vënë në lëvizje për të bërë verifikimin e shumave që dyshohet se kanë ardhur nga aktivitete të paligjshme, kryesisht nga trafiku i kanabisit dhe drogave të forta, duke nisur me policinë, zyrat e hipotekës, drejtorinë e tatimeve dhe njësinë e kontrollit dhe verifikimit të parave të pista.
Televizioni Klan ka arritur të sigurojë një listë me subjektet, të cilat gjatë muajit Shtator do të jenë në qendër të kontrollit nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Inspektimet do të jenë të plota për tre banka dhe tre kompani ndërtimi, ndërsa pjesë e listës janë edhe zyrat e këmbimit valutor.
Burimet në këtë drejtori thanë për Tv Klan se firmat e ndërtimit, zyrat e këmbimit valutor dhe noterët janë subjektet më të shpeshta që përfshihen në afera të pastrimit të parave dhe dyshohet se mbulojnë paratë e krimit.
Ndërtimi konsiderohet si sektori ku janë investuar me se shumti paratë e ardhura nga aktivitete kriminale, kryesisht te zhvilluara jashtë vendit.
Jashtë vëmendjes nuk janë as bankat, pasi një pjesë e mirë e transferta dhe llogarive në to besohet se janë të pajustifikuara.
Sipas të dhënave nga sistemi i pagesave, në vitin 2016-të transfertat e parave përmes këtij sektori u rritën me 1.3 miliard dollarë, duke arritur në rekordin më të lartë historik : 7.6 miliard dollarë.
Burimet thonë se numri i transfertave bankare që në fund të vitit 2014-të e deri tani ka arritur një mesatare mujore prej 10 mijë transaksionesh nga 7mijë që rezultonin në 2013-ën.
Tv Klan