Policia në operacion kundër drogës në Vlorë

2017-10-24 0

Policia nisi paradite një operacion për goditjen e kultivimit dhe trafikun e lëndëve narkotike në fshatrat e Vlorës.

Forca të shumta të Ndërhyrjes së Shpejtë, Repartit DELTA dhe policisë kufitare kontrolluan territorin e disa njësive administrative për identifikimin e zonave të kultivuara me Kanabis.

Kontrollet u përqendruan në Novoselë, ku në vitin 2016 u zbuluan parcela të shumta me kanabis.

Policia ka kontrolluar edhe banesa të braktisura, objekte, bunkerë apo vende te tjera që mund të përdoren nga trafikantët për të kultivuar apo fshehur drogën.

Operacioni filloi menjëherë pas paralajmërimit që kryeministri Edi Rama dhe Kreu i Policisë Haki Çako dhanë nga mbledhja e Task- Forcës, për goditjen e çdo rasti të trafikimit të drogës.

Kontrolle të njëjta për parandalimin e trafikimit të drogës dhe identifikimin e parcelave të mbjella u kryen dy ditë më parë edhe në zonën bregdetare të Lezhës e Shëngjinit.