Vjen vjeshta, reshje shiu dhe temperatura të ulëta

2017-10-24 1

Pas temperaturave të larta, që shoqëruan të gjithë Gushtin, fundi i muajit duket se ka sjellë edhe fillimin e vjeshtës. Reshjet e shiut që përfshinë veriun dhe pjesën qëndrore të vendit mesditën e së Martës sollën ulje të temperaturave.

Për 60 minuta termometri ra me 14 gradë, nga 32 në 18 gradë celsius.

Reshjet e shiut dhe era deri në 45 km/h, në orët e pasdites, ia lanë vendin kthjellimeve dhe rrezeve të diellit, por me temperatura që arritën maksimumi deri në 33 gradë.

Por ndryshe ka qenë situata në zonat bregdetare, ku pushuesit po shfrytëzojnë ditët e fundit me kohë të mirë. Në Durrës thonë se koha është e kënaqshme edhe në këto ditë të fundit të pushimeve.

Edhe pse shumë nga çadrat janë ulur në Shëngjin, për shumë pushues temperaturat jo shumë të larta janë të favorshme për të mbyllur pushimet.

Nga e Mërkura deri të Shtunën moti do të jetë i kthjellët në të gjithë territorin. Fillimi i Shtatorit në të gjithë vendin do të risjellë reshjet e shiut dhe një ulje të temperatuarve me 2-3 gradë. Por sipas meteorologëve, temperaturat e 10 - diteshit të parë të Shtatorit mbeten më të larta se vlerat tipike të fillim vjeshtës.

Tv Klan