Gjykata e lartë konfirmon se në arkivin e saj në pritje për tu shqyrtuar janë afro 20 mijë dosje të cilat janë akumuluar ndër vite, ndërsa pengesa më e madhe vjen për shkak të mungesës së trupës gjykuese.
Repor Tv ka vizituar nga pranë arkivin e ndodhur në katin e parë të këtij institucioni, ku raftet deri në 6 kate qëndrojnë të tejmbushura.
Sipas sekretarisë së kësaj gjykate, çdo ditë në sportele paraqiten rreth 40 rekurse, duke e çuar shifrën mujore për ditët kalendarike të punës në afro 830 dosje.
Dosjet më të prapambetura në kupolën e sistemit të drejtësisë janë ato penale dhe civile, ndërsa ecurinë më të shpejtë në shqyrtime e kanë dosjet administrative.
Pak ditë më parë, media zbuloi skandalin e fshehjes së 300 dosjeve në gjykatën e Tiranës pa u dërguar për rekurs në gjykatën e lartë, por se çfarë do të bëhet tani me këto dosje do të varet nga gjykata e lartë.