Për Partinë Demokratike qeveria e re është vazhdim dhe thellim i së keqes. Në një deklaratë të shpërndarë në emër të kryetarit Lulzim Basha thuhet se kjo është qeveria e thellimit të korrupsionit dhe të krimit si dhe konsolidimit të rikthimit në pushtet të elitës komuniste.
?Tridhjetë vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria sot drejtohet nga disa nga figurat famëkeqe komuniste ose pinjollët e tyre nga Edi Rama tek Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Bushati e Qato e qindra të tjerë në poste kyçe qeverisëse?.
Basha thotë se opozita ka detyrën dhe përgjegjësinë që bashkë me qytetarët të mos lejojë të shkojë deri në fund ky projekt i zi për vendin. Më i ashpër është ish-kryeministri Sali Berisha sipas të cilit ajo që ai e quan ?Qeveri e Norieges? vjen si lukuni e tepsisë, bijë e krimit, vjedhjes dhe kleptokracisë.
?Kjo është qeveri-tepsia, bijë e vjedhjes, krimit, trafiqeve dhe bllokut hoxhist. Ky është kabineti më i inkriminuar dhe më i korruptuar që është instaluar ndonjëherë që nga koha e diktaturës gjer në ditët e sotme!?
Berisha thotë se me emërimin e Ruçit në krye te parlamentit, Rama fyen e poshtëron qindra mijëra viktima që përjetuan kalvarin e persekutimit gjatë diktaturës.
Edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi thotë se e vetmja gjë e re, në këtë qeveri të re me qeverisje të vjetër, do të jetë fakti se Shqipëria po shkon drejt humbëtirës së pandalshme. Ajo bën thirrje për protesta duke shprehur bindje se revolta popullore do të fillojë së pari, nga vetë socialistët./Tv Klan