Teksas, tre të vdekur e dhjetëra të plagosur nga uragani - News, Lajme - Vizion Plus

2017-10-24 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV

Të paktën 3 persona kanë humbur jetën ndërsa dhjetëra të tjerë janë lënduar për shkak të erërave të fuqishme dhe shirave të rrëmbyeshëm që solli uragani Harvey në Teksas të SHBA. Autoritetet njoftojnë se bilanci i viktimave mund të rritet. Uragani goditi të gjithë vijën bregdetare, duke shkatërruar dhjetëra shtëpi. Presidenti i SHBA-ve Donald Trump nënshkroi një urdhër federal për fatkeqësi natyrore për Teksasin, ndërsa zyrtarët njoftojnë se të paktën 3.800 banorë janë evakuuar.

Por, ata shqetësohen se ky është vetëm fillimi, pasi moti i pamëshirshëm dhe reshjet e dendura, pritet të vazhdojnë për disa ditë me radhë. Guvernatori i shtetit, Greg Abbott, tha se vërshimet dramatike vazhdojnë të jenë shqetësim për zyrtarët, pasi shirat e rrëmbyer kanë vazhduar gjatë gjithë ditës së shtunë. Në disa zona, reshjet e shiut kanë arritur deri në 50 centimetra. Ndërsa kryetari i Bashkisë i Rokport pohoi se uragani ka shkaktuar shkatërrime masive në shkolla, biznese dhe shtëpi. Mbi 300,000 banorë kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të stuhisë. Harvey është stuhia më e ashpër që godet Shtetet e Bashkuara në më shumë se një dekade, duke sjellë erëra shiu që shkojnë deri në 209 km në orë.