Kjo është vetura e Dashamir Gjokës, me të cilën ai lëvizte mesditën e djeshme, kur iu bë atentat me kallashnikov nga dy vëllezër të shpallur në kërkim tashmë nga policia. Në foton e siguruar nga televizioni ?Klan?, vihen re shenjat e plumbave të mbetur në veturën e blinduar në pronësi të tij. Nga sa shihet në pamje, ajo është qëlluar në krahun e shoferit. Në xhamin e parë dhe në derën në pjesën e derës ndaj saj është hapur zjarr me një breshëri prej 27 plumbash. Të shtënat nuk kanë mundur të depërtojnë në brendësi të automjetit ?Mercedez- Benz? klasi S, por kanë lenë shenjë në xhama dhe në trupin e mjetit. Kjo pasi ai është totalisht i blinduar çka ka bërë që Gjoka dhe familja e tij të shpëtonin mrekullisht nga atentati i të mërkurës në orën 14:00, kur ai u qëllua pranë ish- komunës Xhafzotaj. Nga hetimet e kryera, janë identifikuar dy vëllezër si autorë të atentatit. Ata janë shpallur në kërkim me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese. Shkak është bërë një konflikt i vjetër i periudhës së viteve 96- 97 që Gjoka, ka pasur me dajën e dy atentatorëve. Hetuesit dyshojnë se konfliktet mes tyre kanë vijuar edhe në vazhdim, çka mendohet se kanë sjellë edhe atentatin të mërkurës në mesditë. Në banesën e dajës së atentatorëve, policia thotë se ka gjetur një automjet që dyshohet se është përdorur nga dy vëllezërit. Këta të fundit hapën zjarr me automatik ?Kallashnikov?ndaj veturës ?Mercedez- Benz?, të blinduar në pronësi të Dashamir Gjokës, 46 vjeç banues në Xhafzotaj të bashkisë Shijak. Autorët ndodheshin një automjet i cili u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Në momentin e atentatit Gjoka ishte duke udhëtuar bashkë me gruan dhe fëmijët e tij. Sipas burimeve të policisë 46 vjeçari, kishte vetëm pak momente që kishte dalë nga banesa e tij dhe po shkonte për të prerë flokët e vajzave. Menjëherë pas atentatit ai u drejtua policisë së Shijakut për të denoncuar atentatin. Në vendin e ngjarjes, ekspertët e policisë gjetën dhe sekuestruan 27 gëzhoja automatiku të kalibrit 7.62 mm, që policia thotë se i përkasin armës së atentatorëve. Policia ka kryer gjatë mbrëmjes së djeshme kontrolle në një sërë banesash në zonën e Shijakut Sallmones, Xhafzotajt etj, për të gjetur dy atentatorët, të cilët kanë mundur të fshihen. Dashamir Gjoka është dënuar nga Gjykata italiane për shfrytëzim e skllavërim të vajzave për qëllime prostitucioni, organizatë kriminale etj. Me 4 ë të këtij viti, Gjykata e Krimeve të Rënda i sekuestroi pasuritë Gjokës me këtë argument, por në muajin korrik Gjykata e Apelit të Krimeve të rënda i hoqi sekuestron.