Përbërja e qeverisë se re do të bëhet publike këtë të dielë në mbledhjen e Asamblesë kombëtare të Partisë Socialiste. Pas lajmeve kontradiktore që kanë qarkulluar këto ditë Gushti lidhur me zyrtarizmin e kabinetit te ri qeveritar, kryeministri zgjodhi ta zbulojë vetë këtë detaj në një takim të zhvilluar në Ministrinë e Jashtme me ambasadorët e vendit tonë në botë.
Një tjetër detaj që Rama zbuloi lidhur me strukturën e qeverise së tij në këtë mandat të dytë ishte krijimi i një portofoli të ri ministror që do të përfaqësojë diasporën, ndërsa ngriti pikëpyetje të mëdha se kush do jetë shefi i ri i diplomacisë. Nëse do të konfirmohet Ditmir Bushati, apo do të zgjidhet një i ri, Rama foli me një gjuhe dykuptimshme për ministrin e Jashtëm.
Qëllimi i takimit me ambasadoret ishte prezantimi i rolit të ri që do të ketë shërbimi i jashtëm në ekonominë e vendit, por kryeministri u ndal gjerësisht te puna e tyre në të shkuarën duke mos kursyer përkufizimet për atë që ambasadoret kanë përfaqësuar gjatë gjithë kësaj periudhe e duke mos përjashtuar as 4 vitet e mandatit të tij të parë.
Edhe pse mandati i ambasadorëve është 4-vjeçar dhe po aq dhe ai i Ministrit të Jashtëm, kryeministri paralajmëroi se qëndrimi në karriget e tyre do të varet nga performaca e cila do të vlerësohet çdo 3 muaj për diplomatet dhe çdo vit për ministrin.
Rama zbuloi se një grup ndërministror po punon për përmirësimin e ligjit te shërbimit të jashtëm ndërsa siguroi se zgjedhjet e 25 qershorit ishin të fundit ku vota e emigranteve nuk u garantua me ligj./Tv Klan