Shqipëria është në top listën e 15 vendeve që kryesojnë rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore për rrezikun që i kanoset nga qarkullimi i parave të pista dhe financimi i terrorizmit. Indeksi i Bazelit, i cili publikohet çdo vit për 146 vende të botës e fut Shqipërinë në renditjen e shteteve që janë më të rrezikuara nga këto para, përkrah Rusisë, Uzbekistanit, Turqisë dhe Taxhikistanit, i cili mban vendin e parë. Shqipëria le pas Moldavinë, ndërsa përpara saj në listën e Bazelit ndodhen Serbia dhe Bosnjë Hercegovina. Këtë vit indeksi për vendin tonë është përkeqësuar duke u rritur nga 5.04 në 2016 në 5.75 gjatë 2017-ës. Pavarësisht kësaj, në renditje vendi ynë ka rënë 8 vende më poshtë se një vit më parë, pasi ka patur përkeqësim në luftën ndaj parave të pista në disa shtete të tjera. Indeksi i Bazelit mat rrezikun e futjes në ekonomi të parave të pista dhe financimit të mundshëm të terrorizmit mbi të dhënat që publikojnë autoritetet shtetërore duke llogaritur edhe elementë të tjerë, si korrupsioni, krimi i organizuar dhe transparenca e institucioneve. Tv Klan