Spostimi i dosjeve nga arkiva e gjykatës së Tiranës për në arkivën shtetërore në Lundër ka nxjerr në pah një skandal të përmasave të mëdha.
Kreu i gjykatës së Tiranës Enkeleidi Hajro e kontaktuar nga ReportTv ka bërë me dije se bëhet fjalë për 299 dosje civile dhe 1 penale të cilat dhe pse duhet të ishin dërguar për rekurs në gjykatën e lartë janë mbajtur të fshehura.
300 dosje nuk u dërguan për rekurs
Kjo sipas Hajros është konsideruar shkelje dhe ajo ka marrë masa duke shkarkuar menjëherë nga detyra drejtuesen e sekretarisë në këtë gjykatë dhe 1 sekretare të sektorit ku janë gjetur 300 dosje të pa dorëzuar në gjykatën e lartë.
Për këtë rast tashmë është njoftuar dhe prokuroria e Tiranës ndërsa për dy pjesëtaret e sekretarisë të shkarkuara gjykata po përgatit kallëzim penal për shpërdorim detyre.
Këto dosje sipas sqarimeve të administratës së gjykatës i përkasin periudhës së një dekade më parë dhe në to ka procese që lidhen me pronat, punësimin, padi shkaktim dëmi etj.
Shkarkohet kryesekretarja, kontroll dosjeve 2008-2015
Veç kallëzimit penal ndaj dy vartësve të shkarkuara kreu i gjykatës së Tiranës ka urdhëruar dhe kontrollin e të gjitha procedurave për dosjet e lidhura me rekurset në gjykatën e lartë përgjatë periudhës 2008-2015.