Afro 170 mijë ndërtesa të cilat nuk mund të legalizohen për shkak se nuk përfitojnë nga ligji i cili i jep leje ndërtimeve në zonat informale do të kenë një shans për të marrë lejen.
Qeveria ka vendosur që tu ofrojë të gjithë pronarëve të këtyre parcelave një tjetër mundësi gjatë mandatit 4-vjeçar të ardhshëm dhe është duke punuar për një ligj të ri i cili do të rikonceptojë të gjithë mënyrën se si funksionon institucioni i ALUIZNI-t, hipotekat dhe agjencia e trajtimit të pronave.
Kreu i agjencisë legalizimit dhe urbanizmit të ndërtimeve informale, Artan Lame, i njoftoi ndryshimet dhe ristrukturimet duke lajmëruar që do të ketë përfitime edhe për ata të cilët deri më sot nuk mund të përfitonin dot nga ky proçes. Televizioni Klan ka mësuar se bëhet fjalë për një ligj i cili do të jetë më gjithëpërfshirës për ndërtimet pa leje. Deri më sot ka qenë e ndaluar të pajisej me leje pronari i cili kishte të ndërtuar një objekt në zonat bregdetare apo turistike. Ligji i ri do t?i japë mundësi që të përfitojë.
Po ashtu një mundësi për të patur pronësinë e ndërtesës do të kenë edhe ata të cilët kanë ndërtuar në akse kombëtare, apo në zona të cilat konsiderohen të mbrojtura me statusin monument kulture, edhe këtu ligji do të japë hapësirë për të bërë legalizim të ndërtesës.
Në total numri i ndërtesave informale në Shqipëri deri në fund të vitit 2014-të arriti në 323 mijë, ku për 144 mijë objekte ka përfunduar procesi i legalizimit. Pjesa më e madhe e ndërtimeve informale janë të shtrira në vende të cilat ligji ndalon legalizimin dhe që tashmë do te kenë një shans të dytë. /Tv Klan