http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
E grabitën dy ditë më parë duke i marrë flori dhe diamante, ndërsa më pas i vendosën edhe një gjobë prej 10 mijë eurosh. Është kjo skema që përdorën 3 të rinj nga Tirana ndaj një biznesmeni, i cili operonte në shitblerjen e bizhuterive. Ne pranga përfunduan Enea Duraj 26 vjeç, Renato Toska 28 vjeç, si dhe një mik i tyre i shpallur në kërkim. Pasi i morën me forcë sendet me vlerë, të rinjtë i telefonuan tregtarit pak orë më vonë, duke i kërkuar edhe shumën e madhe të parave në mënyrë që ta linin të qetë. Por biznesmeni i dhunuar ka vendosur të kërkojë ndihmën e uniformave blu. Në telefon grabitësit i kishin caktuar edhe vendin ku do të dërgoheshin paratë, në fshatin Yrshek pranë Tiranës. Pas dorëzimit të kontrolluar të parave, agjentët ndërhynë duke arrestuar gjobëvënësit. Në çantën e grabitësve u sekuestruan si provë 5 mijë euro dhe 300 mijë lekë. Policia sqaroi se Enea Duraj dhe Renato Toska akuzohen për vjedhje me dhunë, dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, vepra penale këto që parashikojnë dënime me nga 10 deri në 20 vite burg.