Report TV - Krim në familje në Kamëz, burri vret gruan dhe veten me armë

2017-10-24 2

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kamzën paraditen e sotme, pasi burri ka vrarë gruan me armë zjarri dhe më pas veten pas një debati në familje.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si Frutikulturë. Halil Lita 65-vjeç ka qëlluar me armë zjarri automatike bashkëshorten, Dije Litën 60-vjeç dhe më pas ka qëlluar veten.

Pas njoftimit nga banorët e zonës, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku burrë dhe grua janë gjetur pa jetë.

Ngjarja tragjike ka ardhur pas një sherri në familje, ndërsa në banesë në momentin e rëndë ndodhej vetëm çifti.

Të shtënat me armë zjarri janë dëgjuar nga fqinjët të cilët kanë lajmëruar policinë.

Në pyetje po merren familjarët e çiftit dhe fqinjët për të zbardhur arsyet e krimit të rëndë në familje në Kamëz.

Çifti ka 5 fëmijë, 3 vajza të martuara dhe 2 djem në emigracion në Angli.

Shqiptarja.com mëson se pak kohë para se të vriste bashkëshorten dhe më pas veten, Halil Lita, ka shkuar ka blerë bukë në dyqan dhe rrugës duke u kthyer në shtëpi ka takuar edhe kunatin e tij.