Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, autoritetit përgjegjës për kontrollin, ndëshkimin dhe vlerësimin moral të gjyqtarëve, i lënë pas anëtarët e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe disa prej gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe apelit, sa i përket pasurive të paluajtshme dhe llogarive bankare që posedojnë. Secili nga anëtarët e KLD, të cilëve u është besuar lufta ndaj korrupsionit në gjykata, posedon disa apartamente, makina dhe llogari të majme bankare.
Njëri prej tyre, në deklaratën fillestare të pasurisë, rezulton pa shtëpi dhe pa asnjë pasuri të paluajtshme, por 13 vjet më vonë, ai konsiderohet si një ndër njerëzit më të pasur të drejtësisë shqiptare. Gjithsesi, pavarësisht dyshimeve për mënyrën e shpejtë të pasurimit, çdo anëtar i KLD ka një shpjegim konkret për pasuritë e deklaruara, por fjala e fundit për ligjshmërinë e pasurive të tyre tashmë i takon organeve të Vetingut, të cilat pritet të veprojnë në fillim të vjeshtës.