Me një akt normativ qeveria vendos të ndryshojë buxhetin e shtetit të këtij viti. Duket se thatësira e tejzgjatur që ka shkaktuar ngërç në furnizimin me energji elektrike ka detyruar qeverinë të japë fonde shtesë për blerje nga jashtë. Sipas aktit normativ buxheti ka rritur edhe të ardhurat edhe shpenzimet, por pa marrë para të tjera borxh. Drafti parashikon dhënien e një garancie për OSHEE prej 4.5 miliard lekësh për blerje energjie. Kjo garanci e qeverisë shqiptare i mundëson OSHEE-së të blejë energji në tregun ndërkombëtar pa rritur borxhin e saj që merret përsipër nga qeveria.
Një tjetër lëvizje në buxhetin e këtij viti është dhënia e 1 miliard lekëve për përballimin e emergjencave natyrore. Një pjesë e këtij fondi do të shkojë për përballimin e situatës nga zjarret, por edhe situata të tjera të paparashikuara që mund të ndodhin deri në fund të vitit 2017.
Akti Normativ i miratuar nga qeveria këtë të mërkurë parashikon rritje të të ardhurave kryesisht nga rritja e tatimit për pagën minimale dhe sigurimet shoqërore. Në këtë mënyrë sipas draftit mbetet i pandryshuar niveli i borxhit.
Tv Klan