Pas prishjes së kontratës me kompaninë që do të ndërtonte bypass-in e Vlorës dhe atë të Fierit në muajin prill, duket se qeveria është gati të rihapë tenderat për ndërtimin e këtyre segmenteve.
Sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila kishte financuar projektet origjinale, ritenderimi i këtyre kontratave pritet të nisë në tremujorin e tretë të vitit 2017, pra deri në fund të Shtatorit, ndryshe nga sa ishte paralajmëruar se kjo procedurë mund të shtyhej deri në vitin e ardhshëm.
Për punimet e mbetura, qeveria nuk do të kërkojë fonde shtesë nga BERZH, apo Banka Europiane e Investimeve, por do të përdorë pjesën e mbetur të kredive dhe granteve përkatëse.
Kështu, për bypass-in e Fierit (22 km) që lidh segmentin Lushnje-Fier me atë Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë, të cilët janë nën ndërtim, qeveria do të përdorë 48.8 milionë euro të mbetura nga kredia 60 milionë euro e BERZH dhe BEI.