Emergjencat Civile kanë bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 11 vatra zjarri në disa qarqe të vendit.
Sipas Emergjencave, në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 137 punonjës zjarrfikës, 23 automjete zjarrfikëse, 150 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, dhjetëra banorë të zonave të prekura, efektivë të Policisë dhe FNSH, mbi 100 punonjës të Pyjores, të bashkive etj, të mbështetur nga helikopterë dhe avionë.
Po sipas Emergjencave Civile shiu i rënë natën e kaluar ka ndihmuar në shuarjen e zjarreve në pjesën më të madhe të territorit.
Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.