I nxehti afrikan i pagëzuar si "Luçiferi" duket se është larguar nga vendi ynë me rënien e reshjeve të para të shiut, por temperaturat e larta do rikthehen sërish.
10 ditët e para të gushtit u karakterizuar nga temperatura ekstreme të cilat kaluan mbi 40 gradë. Reshjet e shiut të cilat ranë mbrëmjen e kaluar kanë ulur temperaturat deri në 10 gradë celsius të cilat do të vijojnë përgjatë dy ditëve.
Megjithatë, metorologia Lajda Porja u shpreh për Report Tv se fundjava e ardhshme do rezervojë temperatura të larta të cilat do arrijnë deri në 36 gradë celsius, një lajm i mirë ky për të gjithë ata të cilët kishin planifikuar pushimet në fund të muajit gusht.
"Pritej kjo zbritje e temperaturave dhe rikthimi i reshjeve të shiut.
Parashikohet që situata me vranësira dhe reshje shiu të jetë në zonat malore dhe verilindje të vendit. Temperaturat kanë zbritur deri në 10 gradë celsius prej mbrëmjes së djeshme.
Nesër pritet të kemi kthjellime dhe deri në fund të javës të kemi rritje të temperaturave me 1-2 gradë nga dita në ditë. Të enjten do kulmojnë me 35-36 gradë, pra do kemi sërish masa ajrore të ngrohta nga Afrika, por nuk do kemi temperatura ekstreme.