Ajo që paralajmëroi TV Klan ndodhi, aksidenti i parë në Shkozet-Plepa

2017-08-10 1

Ajo që ishte paralajmëruar ndodhi. Vetëm pak ditë nga heqja e trafikndarëseve të betonit në kryqëzimin e unazës që lidh Shkozetin me Plepat u shënua aksidenti i parë. Këtë radhë fatmirësisht pa pasoja të rënda, pasi në të kaluarën cënimi i sigurisë rrugore ka marrë jetë njerëzish. Amullia e krijuar në kryqëzim pas heqjes së trafikndarëseve bëri që dy automjete të përplasen teksa lëviznin në korsinë e shpejtësisë.
Kryqëzimi bashkë me dy nyje të tjera ishin mbyllur për shkak se ishte rrezik për aksidente. Por autoritetet e hapën disa ditë më vonë duke shkelur mbi standardet e sigurisë vetëm se ranë pre e presionit të banorëve që u ngritën në protestë.
Kryqëzimet, në të cilat nuk punojnë as semaforët, e ndërpresin këtë rrugë me katër korsi pa respektuar asnjë parametër sigurie. Makinat që i kalojnë përmes, nuk kanë hapësirë apo korsi të veçantë qëndrimi, përpara se të futen në rrugët me dy korsi nga të dyja anët.
Ekspertët thonë se hapja e këtyre segmenteve nuk është zgjidhje për këtë rrugë me dyndje të mëdha automjetesh pasi teksa u mundëson banorëve të kenë akses në zonën e plazhit, u rrezikon jetën shumë qytetarëve të tjerë. Ata shohin si zgjidhje hapjen e nënkalimeve për të mundësuar edhe lëvizjen pa probleme të banorëve.

Free Traffic Exchange