Përkeqësohet situata e zjarreve, rrezikohen disa shtëpi - News, Lajme - Vizion Plus

2017-08-08 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Zjarret vijojnë të djegin me dhjetëra hektarë pyje e kullota në të gjithë vendin, ndërsa flakët kanë arritur dhe pranë qendrave të banuara. Kështu në Ulëz të Matit katër familje luftojnë prej mbrëmjes së shkuar me flakët e zjarrit. Shuarja është e pamundur për shkak të terrenit të vështirë, por dhe largësisë së zonës, ndërsa familjet kërkojnë ndihmë nga ajri.

Përgjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar 14 vatra zjarri. Në fshatin Sllatinë të Dibrës, flakët u izoluan plotësisht nga forcat zjarrfikëse, por u shkatërruan 70 hektarë pyll me pisha. Operacionet vijojnë në fshatrat Madhesh dhe Bushkash ku është ndërhyrë dhe nga ajri. Në Malin e Kishës së Shënandoit të Laçit ra zjarr në kurorën me pisha të larta. Pas ndërhyrjes edhe nga forcat ushtarake u arrit të shuhen flakët të cilat dogjën sipërfaqe të madhe me shkurre e pisha.

Në Tiranë në fshatin Mushqeta, në afërsi të Tunelit të Krrabës, zjarri i rënë që prej ditës së djeshme vijon të jetë aktiv ndërsa për shuarjen e flakëve po ndërhyjnë edhe helikopterët. Një tjetër vatër u lokalizua në Landfillin e Sharrës, ku si pasojë e flakëve u dogj një tub gazi i Landfillit. Edhe në malin e Derjes në afërsi të Shëngjergjit, zjarri dogji mbi 5 hektarë shkurre e pisha, pasi ndërhyrja ishte mjaft e vështirë për shkak të terrenit të thyer.

Në Elbasan dy vatra në fshatin Mamel dhe në vendin e quajtur Teqja e Dushkut në Gramsh shkrumbuan10 hektarë shkurre. Zjarri u shfaq edhe në fshatin Turan të Tepelenës dhe si pasojë u dogjën rreth 200 rrënjë ullinj, 300 pemë frutore dhe 1 stallë bagëtish e cila mbante kryesisht bazë materiale. Në Skrapar zjarri te Parku i Bogovës ka qene aktiv edhe gjate se martës. Zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit.