“LSI, opozitë frontale qeverisë” - News, Lajme - Vizion Plus

2017-08-06 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
LSI nuk do të jetë pjesë e kulisave politike në legjislaturën e ardhshme. Deklarata vjen nga Klajda Gjosha, anëtare e kryesisë së kësaj force politike, porse ende Ministre e Integrimit në detyrë. Ajo thekson se grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste per Integrim, do të jetë përballë qeverisë, për të evidentuar çdo shkelje apo parregullsi, që do të vijnë nga shumica e Partisë Socialiste.

Gjosha thotë se me shqetësim, konstaton largime apo urdhra për shkarkime apo dorëheqje nga puna. Ajo konstaton se reforma në administratën publike, një ndër kriteret për integrimin europian, është shumë e rëndësishme, por me vendimet për largimet nga puna, mund të shndërrohet në një problem.

Tashmë që LSI dhe PS janë në kahe të kundërta politike, Gjosha ende mban postin e ministres. Ajo shpjegon se kjo ndodh për shkak të respektimit të një detyrimi kushtetues e marrëveshjes politike të 4 viteve më parë me socialistët.

Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë në qarkun Tiranë, në zgjedhjet e 25 qershorit, nuk jep specifikime mbi raportin që LSI do ketë me PD-në në opozitë. Ajo thotë se gjithçka do të varet nga qëndrimet që demokratët do të mbajnë në muajt në vijim.